AlbanianSport.com 25.05.2016 20:25
ASNN – Të enjten, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Zhan Todt, vjen në Kosovë dhe gjatë qëndrimit të tij në vend do të pritet nga zyrtarë të lartë shtetërorë, ka bërë të ditur Federata e Auto Sporteve të Kosovës (FASK).
Në Aeroportin “Adem Jashari”, kreu i automobilizmit botëror do të pritet nga kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi. Prej aty, presidenti i FIA-s do të drejtohet për në kryeqytet, konkretisht në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Aty, Todt do t’i takojë edhe disa nga automobilistët kosovarë, të cilët aty do t’i ekspozojnë edhe veturat e tyre. Po aty është planifikuar që ai të takohet në shesh me kryeministrin Isa Mustafa, nga i cili më vonë do të pritet edhe në selinë e qeverisë.
Gjatë ditës, numri një i automobilizmit botëror do të takohet edhe nga ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendësministrat në Ministrinë e Infrastrukturës. Të premten, Zhan Todt do të takohet edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli.