AlbanianSport.com 31/01/2024 16:15
ASNN – Si asnjëherë më parë, Kosova me plot 8 xhudistë në Paris. Pra, do të jetë plot 8 garues do ta përfaqësojnë Kosovën në garën më prestigjioze të xhudos, “Grend Slem”-in e Parisit, turneun e famshëm i Parisit, që mbahet nga data 2, deri më 4 shkurt 2024. Në të pritet pjesëmarrja e 661 xhudistëve nga 110 shtete të ndryshme dhe në vitin olimpik, “Grend Slem”-i i Parisit fiton shumë në rëndësi. Fakti se Lojërat Olimpike në verë do të mbahen pikërisht në Paris, e bën edicionin e sivjetmë të pakrahasueshëm.
“Grend Slem”-i i Parisit ka traditë prej mbi gjysmë shekulli, ndërsa është atmosfera impozante që e bën garë të veçantë. Ndeshje finale zakonisht zhvillohen para 15 mijë apo 20 mijë shikuesve, shumica prej tyre njohës të mirë të xhudos. Vjet Kosova ishte përfaqësuar në “Grend Slem”-in e Parisit me 5 xhudistë. Në vitet e mëparshme ishin gjithnjë më pak se 5. Këtë herë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të marrë pjesë me plot 8 xhudistë.
Në krye të ekipit të Kosovës do të jenë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Prej xhudisteve do të garojnë edhe Laura Fazliu, Loriana Kuka dhe Flaka Loxha. Nga xhudistët do të jenë Akil Gjakova, Dardan Cena e Shpati Zekaj. Distria, Nora, Laura, Akili e Loriana vlerësohen me potencial të madh për medalje, por pa gjasa nuk janë as Dardani, Flaka e Shpati. Në ditën e parë të garave, të premten, do të garojnë Distria, Nora e Flaka Loxha. Dhe medaljet e para për Kosovën në këtë vit mund të vijnë menjëherë të premten.