AlbanianSport.com 15.01.2017 10:15
ASNN – Edhe Federata e Pinpongut të Kosovës, zgjodhi më të mirët e vitit 2016, në një ceremoni me sportistët dhe drejtuesit e Federatës. Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, “Pingpongisti i vitit” u zgjodh Linor Çitaku, i klubit Prishtina, për sukseset në Kosovë dhe pjesëmarrjet në veprimtaritë ndërkombëtare.
Pingpongistja e vitit është shpallur Vlona Maloku, po ashtu e klubit Prishtina, për arritjet e saj në arenën vendore dhe pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare, duke realizuar 7 fitore në Botërorin e mbajtur në kryeqytetin e Malajzisë, në Kuala Lumpur. Interesant ishte edhe çmimi i dhënë në fund të ceremonisë.
Federata e Pingpongut, shpërbleu të madh e të vogël për paraqitjet e tyre gjatë vitit 2016, e në fund edhe kryetarin e saj Nehat Çitakun. Kryetarit nga Federata që e udhëheq ai vetë, iu dha mirënjohja e veçantë për kontributin e vazhdueshëm për ngritjen e pingpongut në Kosovë, e posaçërisht për arritjen e marrëveshjes për furnizim me pajisje, që është në fakt detyrë dhe punë e tij.