AlbanianSport.com 04.01.2017 18:15
ASNN – Televizioni “KTV” raporton se kanë përfunduar punimet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë dhe salla e sporteve është gati për të mirëpritur veprimtaritë sportive të lojëve me dorë.
Me nismën e SIGAL Prishtinës dhe përkrahjen financiare të Ministrisë së Sportit të Kosovës, punimet që kishin nisur në fund të vitit të kaluar në parketin e ri të Palestrës, kanë përfunduar, madje para afatit të parashikuar.
Kompania që ka kryer punimet, në krye me trajnerin e volejbollit Naser Krasniqi, kishte marrë punën më 7 dhjetor të vitit të kaluar dhe kishte afat deri më 24 janar, për ta përfunduar parketin.
Parketi i ri, është i nivelit të lartë, “FIBA Level 1”, çka do të thotë se përdoret për arenat e basketbollit, për ndeshjet e nivelit ndërkombëtar. Por, për t’u vënë në përdorim, duhet një komision i Ministrisë të verifikojë punimet.
I tërë projekti për shtrimin e parketit ka kushtuar 130 mijë euro, fond ky i financuar nga Ministria e Sportit, që përmes drejtorit të Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, ka bërë të ditur se salla duhet të vihet në përdorim deri javën tjetër.
Ndeshja e parë që pritet të zhvillohet në sallën e rinovuar, është ajo ndërmjet vendasve të SIGAL Prishtinës dhe ekipit nga Bullgaria, Beroe Stara Zagorës, më 10 janar 2017, në kuadër të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.