AlbanianSport.com 18.11.2016 17:05
ASNN – Kampioni i 9-fishtë copëtoi biçikletën me sëpatë, pasi nuk iu ble një e re për Botëror. Ka ndodhur kështu në Kosovë, por ngjarja është zbuluar vetëm tani, madje, ende konfirmohet zyrtarisht.
Përfaqësuesja e Kosovës në çiklizëm supozohej të përfaqësohej me 4 çiklistë në Kampionatin Botëror të Çiklizmit të Rrugës, të mbajtur nga data 9, deri më 16 tetor 2016, në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Por, kjo përfaqësuese u paraqit me vetëm 3 çiklistë. Kampioni i Kosovës, Alban Delija, nuk udhëtoi drejt Katarit, për të konkurruar në Botërorin ku morën pjesë rreth 1,000 garues nga 75 vende të botës.
Sipas asaj që raporton e përditshmja e mirënjohur kosovare “Koha Ditore”, një ditë para se përfaqësuesja e Kosovës të nisej për në Katar, më 7 tetor, 29-vjeçari e kishte thyer biçikletën e tij me sëpatë.
Por, ndryshe deklarohen në Federatën e Çiklizmit të Kosovës (FÇK). Thonë se Delija e kishte thyer biçikletën gjatë stërvitjeve, gjë që e mohon vetë çiklisti, raporton në tej e përditshmja në fjalë.