AlbanianSport.com 01.01.2017 17:25
ASNN – FC Prishtina ishte nismëtare që Ligji për Sponsorizime në Kosovë të bëhet sipas atij gjerman, për çka ishte mirëkuptuar drejt dhe ishte mbështetur nga institucionet. Presidenti i klubit të kryeqytetit të Kosovës, Remzi Ejupi, ndihet krenar për këtë. “Normalisht që FC Prishtina ndihet krenare që ka arritur të kontribuojë sadopak në bërjen e këtij ligji, nën shembullin e atij gjerman, – ka thënë ai për mediat e Prishtinës. – Jemi munduar të kontribuojmë edhe në mbledhje diskutimi.”
“Por, Nait Hasani dhe gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar meritojnë komplimente dhe përgëzime për punën e palodhshme që kanë bërë, sepse ata nuk kanë përtuar që të shkojnë edhe në Gjermani për këtë punë, vetëm e vetëm që ta kryejnë me sukses detyrën, – vijon Ejupi. – Mundi i tyre dhe i gjithë atyre që kanë kontribuuar u shpagua me miratimin e Ligjit për Sponsorizime, i cili jep shpresa të mëdha për zhvillim të kënaqshëm të sportit.”
“Kjo pasi çlirimi me 30 % nga tatimi në fitim për sponsorizues, sigurisht se duhet të konsiderohet diçka e kënaqshme”, – theksoi kreu i klubit më të madh në Kosovë, i cili është edhe njëri prej donatorëve më të vjetër e më të mëdhenj të futbollit në vend.