AlbanianSport.com 18.04.2015 12:30
ASNN – Skuadra e basketbollit Ylli i ka tejkaluar parashikimet fillestare, duke arritur deri në “play-off”in e ETC Superligës së Kosovës në Basketboll për Meshkuj dhe në turneun final të Kupës. Por për skuadrën nga Suhareka vetëm pjesëmarrja në “play-off” tashmë nuk mjafton dhe Ylli synon të befasojë Prishtinën në gjysmëfinale të kampionatit të Kosovës në basketboll.
“Play-off”-i nis sot me ndeshjen e parë gjysmëfinale mes SIGAL Prishtinës e “Golden Eagle” Yllit, që nis në orën 20:00. Në gjysmëfinalen tjetër, që luhet të dielën, duke nisur nga ora 19:00, takohen Peja e Kosova e Re Bashkimi. Në finale, nga ky edicion kalojnë skuadrat që realizojnë nga tri fitore në serinë gjysmëfinale. Sezoni i rregullt u mbyll vetëm të enjten mbrëma me Prishtinën si të parën me 54 pikë.
Peja doli e dyta me 53, Bashkimi i treti me 45 pikë, ndërsa Ylli i katërti me 43 pikë. Prishtina e Peja do të jenë vendase në ndeshjet e para, më pas nga dy ndeshje luhen në Suharekë përkatësisht Prizren. Ndeshjet eventuale të katërta dhe të pesta, natyrisht, nëse do të nevojiten, do të luhen në Prishtinë e Pejë. Interesant është fakti që, Ylli iu bashkua Superligës vetëm pak ditë para se të nis edicioni.
ETC Superliga e Kosovës
Basketboll – Meshkuj
“Play-off”-i final:
Gjysmëfinalet:
Të shtunën:
SIGAL Prishtina – Golden Eagle Ylli (20:00)
Të dielën:
Peja – Kosova e Re Bashkimi (19:00)