AlbanianSport.com 16.01.2016 20:30
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për meshkuj do të jetë e gatshme për Eliminatoret në “Euro 2017” që nisin në fund të muajit gusht të këtij viti. Kështu ka thënë të enjten Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha, në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, ka shtuar se në bashkëpunim me trajnerin Arben Krasniqi po punojnë që të kenë në dispozicion ekipin më të fortë të mundshëm për këto eliminatore, të cilat do të jenë të parat për përfaqësuesen e të rriturve të Kosovës. Është konfirmuar gjithashtu se Krasniqi do të jetë trajneri i Kosovës.
Fillimisht, ai do të ketë mandat për këtë cikël eliminator (shkurt-tetor), me mundësi zgjatjeje për më tutje, në rast se Kosova kualifikohet për pjesëmarrje në evropianin që do të mbahet vitin tjetër. Shorti për Eliminatoret e “Eurobasketit 2017” do të hidhet javën tjetër, më datën 22 janar në Mynih, ku do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët e FBK-së.
“Jemi të gatshëm për këto eliminatore, madje, do t’iu befasojmë këndshëm”, – ka thënë Hoxha, duke shtuar se të gjitha detajet do të zbulohen, pasi të mësohen kundërshtarët e kualifikimeve për evropian. “Më 24, eventualisht më 25 janar, do t’i japim të gjitha detajet sa i përket ekipit”, – ka shtuar ai.
“Gjithashtu do ta zyrtarizojmë Arben Krasniqin si trajner dhe shtabin teknik në përgjithësi. Edhe lista e ekipit do të jetë e gatshme që kryesisht do të përbëhet prej lojtarëve të Superligës së Kosovës”, – ka përfunduar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha.