AlbanianSport.com 28.12.2016 21:15
ASNN – Kosova do të ketë Qendër Nacionale të Xhudos me seli në Pejë. Këtë e ka bërë të ditur , të mërkurën trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, i cituar nga mediat e Prishtinës. Sipas tij, Asambleja Komunale e Pejës ka votuar për ndarjen e parcelës për Qendrën Nacionale të Xhudos.
Kjo është bërë falë marrëveshjes së Komunës së Pejës me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) dhe me Federatën e Xhudos së Kosovës (FXHK). Kuka ka thënë se është shumë i lumtur që Kosova do të ketë qendrën e saj nacionale të xhudos, pasi ka pasur nevojë për një të tillë.
Kjo qendër do të ndërtohet nga Qeveria e Kosovës, kurse punimet për ndërtimin e saj do të nisin vitin tjetër, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. “Propozimi është aprovuar dhe tashmë parcela për këtë qendër është ndarë”, – ka deklaruar Kuka.
“Falënderoj të gjithë që e kanë mundësuar këtë, pasi tash e tutje xhudoja do ta ketë shtëpinë e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme”, – ka vijuar ai, duke folur për të përditshmen në fjalë. Kuka ka bërë të ditur se ndërtimi i qendrës do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.