Gjergj Vyshka 22.04.2016 12:55
Hashim Thaçi, Presidentit i Republikës së Kosovës, ka uruar xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi për medaljen e artë që mori në Kampionatin Evropian të xhudo. Ai përmes rrjetit social “Facebook”, ka uruar Majlindën për suksesin e radhës që i solli Kosovës. “Majlinda e fitoi të artën edhe në Evropianin e xhudos në Kazan. Urime edhe Norës për suksesin. Shenja premtuese në prag të debutimit të shtetit tonë në Lojërat Olimpike në Rio”, – ka shkruar Thaci në “Facebook”. Ndërkohë një urim për Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën ka ardhur dhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
“Majlinda Kelmendi ngriti lartë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës në Rusi duke i dhënë vendit tonë një sukses të jashtëzakonshëm”, – ka shkruar Mustafa duke thënë se në më pak se 24 orë, tri suksese kulmore. “Sot Majlinda u shpall “kampione” e Evropës duke fituar medalje të artë në Kazan të Rusisë dhe Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë, kurse mbrëmë SIGAL Prishtina u bë “kampion” i Ballkanit në basketboll. Me këtë ritëm të sukseseve në sport ky vit mund të hyjë në histori për rezultate kulmore”, -shkruan më tej Mustafa.
Në përfundim, ai ka thënë se “duhet të punojmë së bashku që ta bëjmë realitet një gjë të tillë”. Po kështu ka uruar dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, për fitoren e medaljes së artë nga Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakovën për fitoren e medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahet në Kazan të Rusisë. “Fitoret e Majlindës dhe Norës në Rusi përbëjnë një lajm historik dhe të jashtëzakonshëm jo vetëm për sportin por në përgjithësi për shtetin e Kosovës, – tha ai. – Suksesi i Majlindës dhe Norës në Kampionatin Evropian na bën krenar të gjithëve në Kosovë dhe është një dëshmi se Kosova ka sportistë cilësorë.”
“Ndaj pjesëmarrja me sportistë sa më cilësorë në garat ndërkombëtare, mbetet prioritet i yni”, – shtoi ministri Shala. Ky i fundit ka theksuar se bashkë me stafin e MRKS-së po punojnë intensivisht në përkrahje të sportit në përgjithësi, në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës së përgjithshme, për avancimin dhe afirmimin e sportit dhe në ngritjen e cilësisë së tij. E sakaq fitores së xhudistes kosovare në Kampionatin Evropian që po mbahet në Rusi i është gëzuar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. “Majlinda!! Si çdo herë tjetër, edhe sot na bëre krenarë”, – ka shkruar Jahjaga.