AlbanianSport.com 22.04.2016 20:25
ASNN – Në fakt, atë ditë kur drejtuesit e SIGAL Prishtinës zyrtarizuan si trajner të ri të klubit Antonis Konstantinidesin, ata paralajmëruan se qiprioti po vinte për t’i vënë gjërat në vend pas eliminimit të hershëm në “FIBA Europe Cup”. Dhe kjo vënie e gjërave në vend nënkuptonte fitimin e gjithë trofeve që kishin mbetur.
Tanimë, kur sezoni po shkon nga fundi, qiprioti ka udhëhequr Prishtinën drejt dy trofeve, atij të Kupës së Kosovës dhe të Ligës Ballkanike (BIBL), të fituar të mërkurën për herë të dytë radhazi, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. Dhe, për t’u kompletuar “treshja” e titujve kërkohet edhe kurora e kampiones së Kosovës.
“Play-off”-i final nis këtë fundjavë dhe Konstantinides thotë se skuadra është e gatshme të fitojë edhe këtë betejë. Qiprioti, që është njëkohësisht edhe trajner i Kombëtares shqiptare të basketbollit për Meshkuj, e pati nisur punën te Prishtina më 3 janar dhe, që nga ajo kohë ka pësuar vetëm dy humbje.
Një nga Peja në kampionat dhe një nga Mornari në finale të BIBL-it. SIGAL Prishtina u mposht të mërkurën në Tivar (75-68), por në fund mbrojti titullin, pasi në ndeshjen e parë, të zhvilluar në kryeqytetin kosovar, e kishte mposhtur Mornarin me 14 pikë diferencë (82-68).
“Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se do ta mbyllim edicionin me tri trofe, – ka thënë për të përditshmen në fjalë Drejtori i Përgjithshëm i klubit të basketbollit të SIGAL Prishtinës, Florian Miftari. – Duke pasur parasysh se çfarë trajneri kemi sjellë dhe duke u bazuar në punën e tij, kam besuar në sukses.”