AlbanianSport.com 24.05.2016 11:15
ASNN – Pikërisht në ditën e finales së veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës, Kosova do të mësojë grupin e saj. Takimi në fushë e blertë ndërmjet Realit të Madridit dhe Atletikos së Madridit do të nxjerrë fituesin e Ligës së Kampionëve për këtë edicion. Por, po më 28 maj 2016, në Milano të Italisë do të ketë edhe takime të tjera, përpos atij në fushën e blertë mes dy gjigandëve madrilenë të futbollit.
Do të ketë takime të drejtuesve të UEFA-s, Konfederatës Evropiane të Futbollit. Njëri prej takimeve, pritet rezultojë në caktimin e grupit në të cilin do të luajë Kosova në Eliminatoret e Botërorit të vitit 2018. Ishte Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) që vendosi që Kosova të përfshihet në eliminatore për Botërorin e ardhshëm, që nisin në shtator, e shorti i të cilave është hedhur shumë më herët.
FIFA autorizoi UEFA-n që të gjejë mënyrën më të mirë për përfshirjen me vonesë të Kosovës dhe Gjibraltarit në eliminatore, ndërsa Komiteti Ekzekutiv nuk mori vendim për këtë çështje. Pritet që Kosova e Gjibraltari të jenë në dy grupet e fundit, që kanë nga një skuadër më pak, por vendimin final do ta marrë një “grup pune” që është krijuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s javën e kaluar.
Çështja e caktimit të grupit doli të jetë e komplikuar për shkak se në të dy grupet ka përfaqësuese të vendeve që nuk e njohin Kosovën.