AlbanianSport.com 27.01.2015 17:55
ASNN – Majlinda Kelmendi i është nënshtruar bisturisë. Sipas asaj që raportojnë mediat në Prishtinë, xhudistja kosovare e ka kapërcyer me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në gju, të cilin e ka kryer në Spitalin Amerikan.
Kampionia e botës e kishte pësuar lëndimin gjatë përgatitjeve për garat e ardhshme, ndërsa operimin me sukses e ka kryer ekipi i mjekëve ortopedë, me në krye Dr. Florin Ramadanin.
“Pas një dëmtimi të pësuar gjatë përgatitjeve për në garat e ardhshme, Majlinda Kelmendi kampione e botës në xhudo, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale nga ekipi i mjekëve ortoped me në krye Dr. Florin Ramadani në Spitalin Amerikan”, – thuhet në një njotim të këtij spitali.
Gjithashtu, bëhet e ditur se të martën do të prezantohet edhe marrëveshja e sponsorizimit dhe mbështetjes së ekipit olimpik të xhudos nga Spitali Amerikan, për Olimpiadën “Rio 2016”.
Në konferencë do të marrin pjesë, kirurgu ortoped, Dr. Florin Ramadani, trajneri i xhudos, Driton Kuka, dhe vetë Majlinda Kelmendi. Me këtë rast, do të bëhet e ditur edhe gjendja e kampiones së botës dhe hollësi të tjera rreth garave të ardhshme.