Gjergj Vyshka 30.12.2014 16:10
Sipas faqes sportive kosovare në Internet, www.sportrks.com, është zhvilluar turneu i 16-të tradicional në përkujtim të dëshmorit “Hyzri Talla 2014”, i organizuar nga Klubi i Shahut “Prishtina” dhe mbështetur nga Drejtoria e Sporteve në Komunën e Prishtinës. Ky turne filloi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar. Në edicionin e sivjetmë morën pjesë 74 shahistë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, nga mërgata dhe nga Kosova.
Para fillimit të turneut të pranishmit i përshëndetën, Fatmir Humolli, bashkëluftëtar i Hyzri Tallës, si dhe Latif Zariqi, sekretar i KSH Prishtina. Shahistët i përshendeti edhe Nysret Avdiu, kryetar i Federatës së Shahut të Kosovës. Ndërkaq Saranda Bogujevci, drejtoreshë në Drejtorinë për Kulturën, Rininë dhe Sportin në Komunën e Prishtinës, i përshëndeti shahistët duke nënvizuar se gjithnjë do të mbështeten veprimtari të tilla sportivo-përkujtimore.
Ajo njëherësh e bëri hapjen solemne të këtij turneu dhe njëkohësisht bëri lëvizjen e parë me Elsa Tallën, bijën e dëshmorit Hyzri Talla. Garat u zhvilluan me sistemin zviceran me 9 ture, me nga 15 minuta secila, sipas rregullave të Federatës Botërore të Shahut për shahun “rapid”. Fitues i turneut të sivjetmë doli përfaqësuesi nga Shqipëria, mjeshtri i FIDE-s, Llambi Pasku me 8 pikë. Nga 9 ndeshje të zhvilluara, ai korri 7 fitore dhe pati dy barazime, me Nderim Saraçin dhe Naim Sahitajn, fituesin e vjetëm të këtij turneu.
Pas Paskut u renditën, Naim Sahitaj, Ardian Jashari, Blerim Gashi dhe Sotir Pasku me nga 7 pikë, por për renditjen përfundimtare vendosi Sistemi i Buhollcit. Kjo veprimtari u mbajt nën kujdesin e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës. Tre më të dalluarit u nderuan edhe me kupa, të cilat i ndanë Saranda Bogujevci, Sebahate Talla, bashkëshortja e Hyzri Tallës dhe Nysret Avdiu, kryetar i Federatës së Shahut të Kosovës.
Gjyqtarë ishin, Salih dhe Fatmir Gërguri. Po në këtë turne, Timoleo Miço ka zënë vendin e 16-të, me 5.5 pikë. Përfundimisht shahistët shqiptarë kanë qenë dinjitozë dhe në këtë veprimtari të shahut në Kosovë.