AlbanianSport.com 15.01.2016 10:50
ASNN – Shtatë futbollistë kosovarë u janë bashkuar klubeve të Shqipërisë gjatë këtij muaji, e disa të tjerë pritet në ditët në vijim, meqë janë në prova ose në bisedime. Dhe, në fund të merkatos së janarit, numri i tyre pritet të jetë 30 ose më tepër në kategorinë më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare “Koha Ditore”.
Shumica e futbollistëve janë transferuar nga klubet e Kosovës e disa edhe nga klubet e shteteve të ndryshme evropiane. Kjo lëvizje e madhe e kosovarëve vlerësohet e dobishme për vetë lojtarët dhe klubet e Shqipërisë. Lojtarët marrin paga më të mëdha, kurse klubet e Shqipërisë të favorizuara edhe nga rregullorja që kosovarët i llogarit si lojtarë vendas, përforcohen pa shumë investime.
Marrin lojtarë pa paguar lekë. Humbësit më të mëdhenj të gjithë këtij “yryshi” janë klubet dhe tifozët kosovarë. Futbollistët kosovarë i shohin klubet në Shqipëri si trampolinë për dalje në Evropë, siç është rasti i fundit i Bernard Berishës kur kaloi nga Skënderbeu i Korçës tek Anzhi në Rusi. Në ditët e fundit, Flamurtari i Vlorës ka hapur me të madhe dyert për kosovarët.
Transferoi Besnik Krasniqin, Ilir Berishën, Dardan Çerkinin dhe Mërgim Nezirin, kurse gjatë vjeshtës për skuadrën vlonjate luajtën edhe kosovarët tjerë Debatik Curri, Yll Hoxha, Lorik Maxhuni dhe Kushtrim Lushtaku…