AlbanianSport.com 04.12.2014 21:15
ASNN – Në më pak se 24 orë, klubi i përjashtuar e më pas i kthyer në elitë, Besa, ka larguar katër të huaj, për të sjellë tre të tjerë. Largimin e tyre e përcolli me lajmin se i ka paguar deri në centin e fundit, por këtë e mohojnë lojtarët që kanë kërkuar ndihmë nga familjet e tyre dhe Federata e Basketbollit. Sipas asaj që shkruan e përditshmja e mirënjohur kosovare “Koha Ditore”, klubi njoftoi se lojtarët kanë fjetur në hotel prestigjioz e kanë ngrënë në një restorant po ashtu të njohur, por lojtarët rrëfejnë se dy herë janë nxjerrë nga hoteli për shkak të mospagesave të klubit.
Për këtë të mërkurën kanë raportuar edhe mediat e huaja. Duket se Federatës së Basketbollit të Kosovës po i dalin telashe me skuadrën që e përjashtoi nga Superliga gjatë verës, por pak ditë më vonë ia dha rastin e dytë dhe e ktheu në elitë. E ky telash ka të bëjë me imazhin e basketbollit të Kosovës. Për trajtimin e basketbollistëve të huaj në Kosovë, të mërkurën, është shkruar edhe në mediat e huaja. Për gjithë këtë është kujdesur Besa e Pejës. Krerët e saj për më pak se 24 orë ka bërë një gjest që nuk është praktikë e skuadrave elitare në botë.
Kanë larguar katër lojtarët e huaj që i kishin, për të sjellë tre të tjerë të huaj të mërkurën. Për më shumë, krerët e klubit thanë se i kanë paguar të gjitha obligimet e tyre. Madje, thonë se certifikatat e pagesave i kanë dorëzuar edhe në FBK, por kjo e fundit e mohon një gjë të tillë, siç e mohojnë edhe vetë lojtarët amerikanë. Ata thonë se klubi u ka mbetur borxh dhe se familjet e tyre është dashur t’u nisin mjete për të prerë biletën e aeroplanit për kthim. Klubi “Besa” në komunikatën e tij, thotë se lojtarët kanë fjetur në një hotel prestigjioz në Pejë, ndërkohë që ushqimin e kanë marrë në një restorant.
Por lojtarët e mohojnë edhe këtë. Shontez Paterson insiston se së bashku me lojtarët Meni Riçardson, Dominik Skejs dhe Umar Shenon janë larguar për shkak të kushteve të mjerueshme, përfundon “Koha Ditore”.