Nga Moral Pozhegu (Zëri) 23.01.2015 17:50
SIGAL Prishtina po kalon nëpër momente krize. “Bardhekaltrit” i kanë humbur dy ndeshjet e fundit në Ligën Ballkanike dhe kanë rënie të formës. Njohësit e basketbollit e kanë fajësuar drejtuesit për ndryshimet e shumta në ekip. E prishtinasit besojnë se do të ringjallen shpejt. SIGAL Prishtina nuk e ka nisur aspak mirë vitin 2015. “Bardhekaltrit” kanë pësuar dy humbje radhazi në Ligën Ballkanike dhe po tregojnë formë të zbehtë, e cila nuk ishte parë qe një kohë të gjatë.
Njohësit e basketbollit e kanë fajësuar drejtuesit për këtë rënie të kryeqytetasve, pasi, sipas tyre, ndryshimet e shumta që janë bërë në ekip dhe në shtabin teknik e kanë sjellë këtë situatë. “Kam bindjen se Prishtina ka gabuar me ndërrimin e trajnerit, por edhe të lojtarëve, – ka thënë trajneri, Masar Nixha për “Zërin. – Kësaj skuadre kushedi sa kohë i nevojitet të harmonizohet. Paraqitjet e tyre të fundit ishin zhgënjyese. Trajneri maqedonas që kanë marrë, nuk ka kushediçfarë përvoje, siç e kishte boshnjaku që e larguan.”
“Kryesia është ngutur me këtë vendim”, – ka shtuar ai, duke i kritikuar kryeqytetasit edhe për lënien mënjanë të lojtarëve vendas. Ndërkohë, trajneri, Blerim Krasniqi, mendon po ashtu se ndryshimet e shumta të bëra në skuadër, kanë bërë që prishtinasit të bien totalisht. Ai insiston se dikush duhet të japë llogari për këtë punë. “Sipas meje, në këto momente, nuk mund të bësh ndryshime të mëdha, – thotë Krasniqi. – Trajneri duhet ta mbyllë ciklin dhe në fund të sezonit të bëhen llogaritë e jo të largohet në gjysmë të sezonit. Vetëm në situata kur klubet nuk kanë rrugëdalje, mund ta ndërrojnë trajnerin.”
“Gjithashtu, lojtarët e huaj duhet të verifikohen mirë e jo të transferohen lojtarë të padëshmuar dhe pa pasur njohuri të mjaftueshme për ta, – vijon ai. – Për këto transferime dhe ndryshime jo të goditura, dikush duhet të japë llogari, ata që merren me këtë punë. Nevojitet një llogaridhënie. Në anën tjetër, nuk e kuptoj se si Prishtina i lëshon aq lehtë lojtarët vendas, të cilët i ka rritur dhe formuar vetë, duke sjellë 5-6 lojtarë të huaj. Me këtë rast, vendasi s’kanë kurrfarë gjasash të luajnë, duke qëndruar veçse si shikues.”
“Mendoj se po përdoret një strategji e gabuar, kjo është absurde”, – theksoi Krasniqi, i cili është i bindur se Alban Veseli dhe Fisnik Rugova do të shkëlqenin tek Prishtina nëse do t’ju jepej vetëm gjysma e rrogës së lojtarëve të huaj që i merr ky klub. Trajneri prishtinas këshillon skuadrat kosovare të marrin mësim nga ato bullgare, kroate apo boshnjake, të cilat në Ligën e Adriatikut luajnë me 99 % lojtarë vendas. Nga ana tjetër, drejtori i klubit, Florian Miftari, e pranon se prishtinasit nuk po kalojnë nëpër momente të mira, duke e ndarë fajin në disa pjesë, e mbi të gjitha te ish-trajneri.
Por, ai mundohet t’i minimizojë gjërat, duke premtuar se shumë shpejt do të shihet SIGAL Prishtina e vërtetë. “Jemi duke kaluar nëpër një mini-krizë, të cilën po e trashëgojmë nga trajneri i kaluar, i cili nuk e ka përgatitur si duhet fizikisht ekipin”, – ka pohuar ai. – Ishte një lëshim yni, që e kemi toleruar një gjë të tillë. Në këtë rast, ka faj trajneri, drejtuesit dhe ndihmës-trajnerët. Ndërkaq, trajneri aktual është mjaft ambicioz, i etur për punë.”
“Jemi duke e analizuar situatën, por s’ka vend për panik , – theksoi drejtori i kryeqytetasve, Miftari. – Do ta shikojmë se ku po çalojmë dhe shumë shpejt do të përmirësohemi. Ndeshja e fundit nuk ka qenë shumë me rëndësi, pasi e kemi siguruar kualifikimin në fazën tjetër. Tash e tutje, nuk duhet të gabojmë.” Mbetet të shihet në ndeshjet e ardhshme nëse do të ndryshojë diçka në lojën e “kampiones” në fuqi të Kosovës.