AlbanianSport.com 12.04.2016 14:25
ASNN – Orari i ndeshjes së tretë finale të Kampionatit të Kosovës në Volejboll për Meshkuj, ndërmjet Besës së Pejës dhe Lubotenit të Ferizajt, është caktuar për të mërkurën, nga ora 20:00 në palestrën “Karagaçi” të Pejës. Por, kjo ndeshje mund të mos zhvillohet fare, në rast se ankesa që e ka paralajmëruar se do ta bëjë ekipi pejan, do të marrë përkrahje në Bordin e Federatës së Volejbollit të Kosovës, shkruajnë mediat e Prishtinës.
Te Besa kanë thënë se të hënën do të parashtrojnë ankesë në FVK për t’ua kthyer fitoren e arritur në fushë në ndeshjen e parë finale të “play-off”-it, të zhvilluar të enjten e kaluar. Atë ndeshje e kishte fituar Besa, por më pas ishte ankuar Luboteni për aktivizim jo të rregullt të lojtarëve nga skuadra pejane. Ankesa e Lubotenit nga Komisari u vlerësua e drejt dhe ndeshja të shtunën ishte regjistruar me rezultatin 3-0 në favor të Lubotenit.
Ndeshjen e dytë finale të “play-off”-it, të zhvilluar të dielën në Ferizaj, e fitoi Besa me rezultatin 3-1. Pra, hëpërhë, rezultati i ndeshjeve është 1-1 dhe fituesi i ndeshjes së tretë, që është parashikuar të luhet të mërkurën në Pejë, do të fitojë titullin “kampion”. Te Luboteni presin që vendimi i Komisarit të Garave të mbetet në fuqi, ndërsa te Besa shpresojnë se do të kthehet rezultati i ndeshjes së parë dhe kështu për të fituar titullin nuk do të kenë nevojë të luajnë edhe takimin e tretë.