AlbanianSport.com 01/12/2018 20:20
ASNN – Josa fiton duelin me Duron, Prishtina mund Dritën dhe rimerr kreun e Superligës së Kosovës. Kryendeshja e javës së 17-të të Superligës së Kosovës, midis Prishtinës dhe Dritës, u mbyll me fitoren e skuadrës kryeqytetase të Kosovës, 2-0, një duel shumë domethënës për pozitat e skuadrave dhe njëherësh për objektivat që kanë të dy ekipet këtë sezon.
Në kryeqendrën e Kosovës, u përballën Mirel Josa në krye të Prishtinës me Shpëtim Duron në stolin e Dritës. Triumfoi Josa, në një ndeshje ku Prishtina e meritoi fitoren dhe me trepikëshin e sotëm rimerr kryesimin në kampionatin kosovar. Për ekipin e Josës shënoi Korenica në minutën e 56-të, si dhe Khalid Basit në minutën e fundit të ndeshjes.
Prishtina rimerr kështu vendin e parë në renditje, me 40 pikë, duke lënë prapa Ferronikelin me një pikë më pak 39. Kurse Drita e Shpëtim Duros, mbetet në vendin e gjashtë në klasifikim, 17 pikë larg kreut. Pra, kampionët në fuqi të Kosovës kanë pak shanse të përsërisin suksesin e vjetshëm në futbollin kosovar. Një tjetër ndeshje e luajtur sot në kuadër të javës së 17-të të Superligës së Kosovës ishte ajo mes Trepçës së Mitrovicës dhe Ballkanit të Suharekës, mbyllur me fitoren e Trepçës 1-0.