AlbanianSport.com 29/01/2024 22:25
ASNN – Kosova e Hungaria pritet të zhvillojnë ndeshje miqësore gjatë muajit mars. Me shumë mundësi ndeshja do të zhvillohet më 26 mars, ndërsa është e qartë se ajo nuk do të luhet në Prishtinë. Stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbyllur, ndërsa Kosova nuk ka stadium tjetër të denjë për ndeshje ndërkombëtare. Hungaria është kundërshtare shumë e fortë për “Dardanët”, që vazhdojnë të jenë pa trajner. Hungaria është kualifikuar për në fazën finale të “Euro 2024”-ës, ndërsa do të jetë në grup me Gjermaninë, Skocinë dhe Zvicrën.
Hungarezët fillimisht do të luajnë me Turqinë e më pas me Kosovën. Në qershor Hungaria do të luajë ndaj Irlandës dhe ndaj Maltës. “Ndeshja e dytë miqësore do të jetë ndaj Kosovës, që nuk është kualifikuar në Evropian dhe është vetëm e 101-ta në ranglistën botërore. Por, kundërshtarja jonë në Evropian, Zvicra, nuk e ka mposhtur Kosovën në asnjërën prej dy ndeshjeve në kualifikime”, – ka shkruar Federata hungareze të hënën mbrëma. Sipas Federatës së Hungarisë, kontratat për ndeshje nuk janë firmosur ende pasi kanë mbetur edhe disa detaje të qartësohen.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka njoftuar ende për miqësoret në mars. Me shumë mundësi Kosova do t’i luajë dy miqësore, njëjtë si përfaqësueset e tjera. Miqësore Kosova do të ketë edhe në qershor, ndërsa në shtator i luan ndeshjet e para në edicionin e radhës në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Kundërshtarët do t’i mësojë javën e ardhshme. Hungaria ka për trajner italianin Marko Rosi, ndërsa Dominik Szoboszlai është kapiteni dhe lojtari kryesor i përfaqësueses. Hungaria e fitoi grupin eliminator, ku ishin edhe Serbia, Mali i Zi, Lituania dhe Bullgaria.