AlbanianSport.com 19.05.2016 18:45
ASNN – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ta marrë një vendim të madh dhe organizmi që qeveris lëvizjen olimpike në vend i ka urdhëruar Federatat anëtar që tani e tutje të mos pranojnë që sportistët e tyre të garojnë pa simbole shtetërore, kur një gjë e tillë u kërkohet nga shtetet nikoqire të garave ndërkombëtare. “Në fakt, një gjë e tillë është vendosur edhe në Kongresin e KOK-ut, kurse tani vetëm e kemi rikonfirmuar vendimin”, – ka thënë kreu i këtij organizmi, Besim Hasani, i cituar nga të përditshmen kosovare, “Zëri”.
“Thjesht, nuk duam padrejtësi, – ka vijuar ai. – Përderisa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe të gjitha federatat ndërkombëtare na kanë pranuar me simbole shtetërore, është e padrejtë që tani të kërkohet nga ne të paraqitemi pa simbole shtetërore vetëm pse disa shtete mikpritëse të këtyre veprimtarive, për shkaqe politike, nuk na mirëpresin me simbole, siç ishte rasti i fundit me xhudon.” Hasani ka theksuar se sporti kosovar është i vendosur t’i qëndrojë prapa këtij vendimi, edhe nëse kjo mund t’i kushtojë me humbje të pjesëmarrjes në ndonjë Botëror ose Evropian.
“Mund të ndodhë që ndonjë garë të mbahet pa simbole shtetërore, për të gjitha shtetet, – ka vijuar kreu i olimpizmit kosovar për të përditshmen në fjalë. – Aty mund të paraqitemi edhe ne pa simbole, sepse kjo do të ishte barazi, s’kemi pse t’i lypim veç ne simbolet. Por, në Evropiane e Botërore, ku të gjithë garuesit paraqiten me simbolet e shteteve të tyre, edhe ne do të insistojmë të paraqitemi njëjtë. Në të kundërtën nuk do të marrim pjesë, edhe nëse e humbim mundësinë e pjesëmarrjes. 25 vjet kemi qëndruar në izolim.”
“Jemi të gatshëm që edhe pak të përballemi me kësi situatash, – ka theksuar Hasani. – Nuk është aspak e lehtë sepse vendimet e tilla janë të vështira, por ne gjejmë forcën të përballemi me to, duke e marrë parasysh se e kemi edhe obligim moral e njerëzor t’i qëndrojmë prapa shtetit tonë dhe simboleve tona.” Ai thotë se IOC-ja dhe federatat ndërkombëtare do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për Kosovën. Siç dihet, deri më tani janë shënuar shumë raste kur kosovarëve nuk u është lejuar të paraqiten me simbole shtetërore nëpër disa gara ndërkombëtare të mbajtura nëpër shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, edhe pse garuesit kosovarë kanë shkuar në ato gara me ftesa të federatave ndërkombëtare, në të cilat janë anëtarësuar.