AlbanianSport.com 19.05.2015 15:25
ASNN – Ekipi i Kosovës në Lojërat Evropiane “Baku 2015” nuk do të numërojë 15 sportistë, sa ç’janë aktualisht në listën e publikuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, shkruan e përditshmja e mirënjohur kosovare “Koha Ditore”. Kjo sepse delegacioni pritet të jetë më i madh, sepse do të shtohen edhe disa qitës, ka bërë e ditur të hënën kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar (KOK), Besim Hasani.
Në të vërtetë KOK-u së fundi ka kërkuar që në edicionin e parë të Lojërave Evropiane, Kosova të përfaqësohet edhe me atletë e qitësa, ndonëse sportistët e këtyre dy sporteve nuk janë ftuar më herët. Ndërkohë që, për qitësat përgjigjja është pozitive, sipas të gjitha gjasave, për atletë, përgjigjja pritet të jetë negative, pasi ka pak shanse që atletëve të Kosovës t’u lejohet garimi në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
Lojërat e para Evropiane nisin më 12 qershor dhe përfundojnë më 28 qershor 2015. “Për qitësat kemi marrë përgjigje pozitive, ndërsa për atletët jemi ende në pritje, – ka deklaruar kreu i lëvizjes olimpike kosovare. – Ka pak gjasa që të lejohen atletët, ndonëse ne kemi bërë të pamundurën dhe po këmbëngulim deri në fund.” Ai nuk e ka zbuluar numrin e qitësve kosovarë që do të shkojnë në Baku.