AlbanianSport.com 06.05.2015 15:30
ASNN – Federata e Taekuondosë të Kosovës ka arritur të listohet midis Federatave më të dalluara në historinë e këtij sporti, pasi kryetari i saj, Nuhi Gashi, dhe sportisti më i suksesshëm, Durim Berisha janë ftuar edhe zyrtarisht të jenë pjesë e “Official Taekwondo Hall of Fame”, i cili është institucioni i vetëm në botë që vlerëson rezultatet e arritura në fushën e administrimit dhe garimit në taekuondo.
Është kjo hera e parë që një sportist apo drejtues sportiv nga Kosova e arrin këtë nivel. Duke u bazuar në punën e tij, e cila u finalizua me pranimin në Federatën Botërore, dhe duke çmuar angazhimin e tij në përgatitjen e sportistëve më të dalluar të Kosovës, Gashi është ftuar të pranojë çmimin e anëtarësisë në këtë institucion.
Ndërsa për shkak të arritjeve të jashtëzakonshme në rezultatet sportive, Berisha është bërë pjesë e sportistëve më të dalluar në histori të këtij sporti. Berisha është ndër të vetmit sportist në botë që ka arritur të sigurojë medalje në pesë kategori të ndryshme të garimit në një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, Durim Berisha është sportisti i parë i cili ka fituar medalje për Kosovën në veprimtaritë zyrtare të Federatës Botërore të Taekondosë.