AlbanianSport.com 27/05/2020 20:10
ASNN – Ndonëse ishte shpresuar deri në fund për vazhdimin, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim që të mos vazhdojë kampionati në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë, për shkak të epidemisë “COVID-19”. Vendimi është marrë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Është vendosur që mos të zbresë asnjë skuadër nga këto nivele të kampionatit të futbollit të Kosovës.
Ndërsa Besa dhe Arbëria do të ngjiten në Superligë, pasi kanë qenë në dy vendet e para në momentin e pezullimit. Ndërkaq, ndeshjet në Superligë do të luhen duke nisur nga qershori. Ndërkohë për Ligën e Femrave në futboll është vendosur që Mitrovica dhe Ferronikeli, që kanë pikë të barabarta, të luajnë një ndeshje përcaktuese ku fituesja shpallet “kampione”.
Është raportuar se në futbollin e sallës, pritet të vazhdojnë garat në formë “play-off”-i, që do të luhen gjatë 3 ditëve. “KE-ja duke marrë për bazë gjendjen e krijuar nga epidemia “Covid-19” dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë dhe në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë lejuar garat vetëm në Superligë, për ligat tjera mori vendim që të mos zhvillohen garat”, – thuhet në njoftimin e FFK-së.
“Rezultatet do të merren sipas tabelës aktuale para fillimit të pandemisë, por edhe duke ruajtur mundin e secilit klub, – vijon më tej njoftimi. – Kështu që, nga Superliga largohen 4 skuadra për në Ligën e Parë, derisa Superligës do t’i bashkëngjitën dy skuadra, KF Besa, që ndodhet në vendin e parë në tabelë dhe KF Arbëria, që ndodhet në pozitën e dytë dhe nga Liga e Parë nuk largohet asnjë skuadër.”
“Ligës së Parë i bashkëngjitën KF ”Kika” dhe KF ”A&N” që vijnë nga Liga e Dytë dhe që i bie që kjo ligë nga edicioni i ardhshëm do të numërojë 20 skuadra, – sqaron njoftimi në fjalë. – Edhe nga Liga e Dytë nuk largohet asnjë skuadër, por vetëm dy skuadra e Ligës së Tretë do t’i bashkëngjitën kësaj Ligë edhe atë, KF Dushkaja, nga rajoni i Pejës, dhe KF Vjosa e Shtimes, nga rajoni i Prishtinës, sikundër edhe nga dy ligat e treta nuk largohet asnjë skuadër.”
“KE shqyrtoi dhe garat në Ligën e femrave dhe konstatoi se në dy ligat e femrave nuk ekzistojnë kushtet për rifillimin e garave, por duke qenë se në kategorinë e femrave, skuadra “kampione” merr pjesë në garat evropiane, atëherë dy skuadrat e para KFF ”Mitrovica” dhe KFF ”Feronikeli” që kanë pikë të barabarta do të zhvillojnë një ndeshje përcaktuese ku fituesja shpallet “kampion”. Vitin e kaluar është hequr elementi i gol-dallimit për të përcaktuar kampionin dhe kampioni përcaktohej në bazë të ndeshjeve të ndërsjella”, përfundon njoftimi i organizmit që qeveris futbollin në Kosovë.