AlbanianSport.com 02.10.2016 11:35
ASNN – Federata e Atletikës së Kosovës ka përfituar projektin e trajnimit “LEAP” (Udhëheqja dhe Përsosmëria në Programin e Atletikës) i cili organizohet gjithmonë para Kampionatit Botërorë të Atletikës dhe këtë vit një prej 10 Federatave përfituese është edhe Federata Atletike e Kosovës.
Duke qenë se Kampionati i vitit të ardhshëm mbahet në Londër programi “LEAP” i është besuar Federatës Britanike të Atletikës për ta udhëhequr këtë program. Ky program ka të bëj me trajnimin e trajnerëve të atletikës kryesisht me punën me të ri si dhe inkurajimin e të rinjve për të kontribuar në atletikë edhe si vullnetar.
Programi është 3 vjeçar dhe financohet kryesisht nga buxheti i Kampionatit Botëror të Atletikës, por nënshkrues të marrëveshjes dhe zbatues janë edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Federata e Atletikës, Federata e Atletikës së Anglisë dhe UK Sports (si lloj Ministrie e Sportit).
Ambasada Britanike në Kosovë do të ndihmojë nga afër realizimin e këtij projekti në tërësi. Trajnimi intensiv do të organizohet nga data 3, deri 7 tetor 2016. Në këtë trajnim do të marrin pjesë 15 trajnerë të klubeve të atletikës së Kosovës dhe 32 të rinj prej moshës 13-18 vjeçare në ditën e katërt të trajnimit.