Marrë nga “Zëri” 28.01.2015 16:35
Edhe Federata e Basketbollit e Kosovës e pranon se Kosova ka krizë të madhe të lojtarëve e trajnerëve vendas, të cilët s’po mund të bëjnë përpara për shkak të të huajve. Por, Erolld Belegu e shfajëson FBK-në e tij, për të cilën thotë se ka ndërmarrë veprime dhe hapa konkrete, të cilat i numëron një nga një. Kështu, gishtin e tij e drejton kah klubet
Gjendja e basketbollit kosovar është shqetësuese për shumë njohës të këtij sporti në vend. Me cilindo prej tyre që kontakton, ai të shpreh brengën për faktin se Kosova po përjeton krizë shumë të madhe të lojtarëve dhe trajnerëve vendas. Thuajse të gjithë janë të mendimit se trajnerët kosovarë po injorohen skajshmërisht nga klubet, të cilat janë të dhëna maksimalisht pas trajnerëve të huaj.
Ndërsa këta të fundit nuk po merren thuajse fare me lojtarë vendas. E numri i këtyre të fundit, dita-ditës po pëson rënie, ndërsa Kosova është shndërruar në një “destinacion turistik” për basketbollistë amerikanë, kroatë, boshnjakë, etj. Aq shumë ka ardhje e shkuarje të lojtarëve të huaj, saqë këto lëvizje nuk e kanë më as efektin e lajmeve për media.
Fajin kryesor e kanë politikat e klubeve, por kjo nuk e shfajëson edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, nga e cila e drejtojnë gishtin shumë njohës, sepse, sipas tyre, ajo nuk po ndërmerr masa. “Ata që kritikojnë, e kanë një pjesë të madhe të fajit. Kjo pasi ata prej vitesh janë në basketboll dhe tani po del që nuk kanë punuar, sepse s’po ka lojtarë vendas”, – kundërpërgjigjet kryetari i FBK-së, Erolld Belgu.
“Edhe unë mendoj dhe pajtohem me atë se Kosova ka krizë të basketbollistëve e trajnerëve vendas, – theksoi ai. – Por, Kosova nuk ka krizë të basketbollit. Ne kemi basketboll të mirë.” Sipas Belegut, edhe FBK-ja nuk pajtohet me politikat e të gjitha klubeve, por e shfajëson plotësisht organizatën që kryeson. “Ne kemi ndërmarrë masa rreth krizës së lojtarëve vendas”, – ka këmbëngulur ai.
“Po praktikojmë politika zhvillimore kundër kësaj ngecjeje, – vijoi Belegu. – Ne i kemi detyruar klubet, që dhjetë minuta të një loje, t’i rezervojë për të paktën një lojtar të moshës nën 20 vjeç. Po ashtu, kemi ndërmarrë masa për ta zbutur sadopak këtë fenomenin e ndërrimit të shpeshtë të lojtarëve të huaj. Deri në 8 lojtarë, klubi paguan tarifa tjera, porsa ta bëjë ndërrimin e 8-të, atëherë paguan me tarifë tjetër, përkatësisht me 600 euro.”
Kështu, Belegu thotë se krejt këto masa FBK-ja i ka marrë pasi edhe vetë ajo nuk pajtohet me shumicën e politikave të klubeve. Andaj, thekson se askush nuk ka të drejtë apo arsye që gishtin ta drejtojë ka shtëpia e basketbollit. Erolld Belegu këmbëngul se Federata e Basketbollit e Kosovës, të cilën e drejton, tashmë ka ndërmarrë masa shumë konkrete, e madje të mëdha, për të nxjerrë basketbollistë të rinj vendas, të cilët nuk po “lulëzojnë” dot, për shkak të të huajve.
“Ju e dini se kemi angazhuar një trajner amerikan, me të cilin kemi organizuar kampe me të rinj. Puna e atij trajneri amerikan do të vazhdojë me këto gjenerata të reja të lojtarëve vendorë. Dhe unë ju siguroj se brenda 4 apo 5 vitesh do t’i nxjerrim 20 apo 30 lojtarë vendas shumë të mirë prej krejt këtij projekti”, – ka përfunduar kryetari i FBK-së, Erolld Belegu.