AlbanianSport.com 07.01.2017 18:00
ASNN – Në Kosovë është krijuar në këtë fillimit një situatë paradoksale sa i përket klubeve të basketbollit të meshkujve. Kjo sepse, teksa të gjitha klubet e Superligës së basketboll kanë kërkuar që fillimi i gjysmës pranverore të shtyhet për një javë, për shkak të motit, 3 klubet kryesore në vend kanë ndeshje zyrtare para ditës në të cilën është dashur të luhej java e parë e vitit 2017.
Ishte Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që të premten vendosi për shtyrjen e fillimit të gjysmës pranverore të sezonit aktual të Superligës së meshkujve, për shkak të temperaturave të ulëta të motit në vend, që e bëjnë të papërshtatshme zhvillimin normal të ndeshjeve të kësaj veprimtarie. Gjysma pranverore duhej të niste më 14 janar, ndërsa në bazë të vendimit të ri do të nisë më 21 janar 2017.
Megjithatë, edhe para 21 janarit, tifozët e basketbollit në Kosovë, do të kenë mundësinë që t’i shohin nga afër në ndeshje zyrtare SIGAL Prishtinën, Pejën, Bashkimin e Trepçën, por kjo në kuadër të Ligës Ballkanike të Basketbollit në vend dhe jo në kuadër të kampionatit vendas. Kjo sepse veprimtaria rajonale vazhdon garat dhe nuk pranon ndryshim të kalendarit të saj.