AlbanianSport.com 31.05.2016 20:25
ASNN – “Shpresojmë që edhe edicionin e ardhshëm të jenë së paku tri ekipe nga Kosova”, drejtori i Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL), Shej Shtriks. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) pritet që gjatë këtij muaji të vendosë se cilat do të jenë ekipet të cilat do ta përfaqësojnë Kosovën në BIBL. Madje, Sekretari i FBK-së, Leart Hoxha thotë se shumë shpejt do të vendoset se kush do të luajë në këtë veprimtari.
“Gjatë muajit qershor do të vendosim se cilat ekipe do të luajnë në Ligën Ballkanike, – tha ai. – Do të shohim se si janë mundësitë dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë.” Në dy sezonet e para, Kosova në BIBL është paraqitur me SIGAL Prishtinën dhe Pejën, ndërsa në edicionin që sapo u mbyll, pjesëmarrës ishte edhe Bashkimi i Prizrenit.
Muaj më parë, interesim për t’u bërë pjesë e kësaj lige ka shprehur edhe Trepça. Prandaj, do të jenë katër skuadra që do t’i kërkojnë tri vende. Gjërat do të bëheshin më të lehta në rast se prishtinasit vendosin të mos marrin pjesë në BIBL, një mundësi që nuk e kanë përjashtuar. Ndërkohë, në “Europe Cup” do të marrin pjesë SIGAL Prishtina dhe Peja.