AlbanianSport.com 19/02/2024 19:15
ASNN – “Franko Foda, urojmë të jetë si Silvinjo.” Kryetari i SHGSK-së, Edmond Thaçi, flet për trajnerin e ri të përfaqësueses së Kosovës. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi, mendon se zgjedhja e Frank Fodës si trajner i përfaqësueses dardane është e duhura.
Në një intervistë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai bën paralelizëm midis Fodës dhe trajnerit të Kombëtares kuqezi, Silvinjos. Drejtuesit e Federatës kishin zgjedhur një ditë të veçantë si ajo e 17 shkurtit, që përkon me 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë për të prezantuar trajnerin e ri.
Foda do të marrë vendin e lënë bosh nga Primozh Gliha, që u shkarkua në fund të vitit të kaluar nga detyra e tij. Gjermani është i papunë që nga shtatori i vitit 2022, pas një periudhe të shkurtër të kaluar tek Zyrihu, ndërsa 57-vjeçari ka qenë më herë edhe trajner i përfaqësueses së Austrisë.
“CV-ja e tij është mbresëlënëse dhe unë gjykoj që Foda është një zgjedhje e qëlluar për stolin e përfaqësueses së Kosovës, – ka thënë Thaçi ndër të tjera në intervistën në fjalë. – Përvoja e tij është e pasur dhe besoj se ai i njeh lojtarët me të cilët do të punojë tek Kosova. Për më tepër, ai ka zgjedhur, sikundër edhe Silvinjo në Shqipëri, të jetojë në Kosovë, dhe ka edhe një program të konfirmuar të ndeshjeve miqësore.”