AlbanianSport.com 07.05.2015 22:00
ASNN – Tri xhudistet dhe karateisti Alvin Karaqi nuk do të jenë të vetmit që do të marrin pjesë me normë për Kosovën në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, në faqen e saj në Internet.
Të enjten, Komiteti Organizator i Lojërave Evropiane “Baku 2015” (BEGOC), ka njoftuar se me normë në edicionin e parë të kësaj veprimtaria do të marrë pjesë edhe xhudisti Akil Gjakova. Ky i fundit e ka normën për kategorinë deri 73 kilogramë.
Gara e xhudos në Lojëra Evropiane do të shërbejë edhe si Kampionat Evropian i xhudos. Gjakova ka siguruar normën pas përpunimit përfundimtar të listave. Në të vërtetë, ai ishte i pari në listë të pritjes, ndër xhudistët që për pak pikë nuk kishin arritur normën për të garuar në Baku.
Por ndërkohë një nga xhudistët e kategorisë deri 73 kilogramë hoqi dorë nga pjesëmarrja në Baku dhe kështu u lirua vendi për 19-vjeçarin nga Peja.