AlbanianSport.com 02.01.2017 12:00
ASNN – Ndonëse kanë kaluan plot 17 vjet nga lufta, infrastruktura sportive në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Edhe pse aty-këtu janë bërë disa ndërhyrje, sportistët e Kosovës vazhdojnë ende t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre sportive në kushte jo të mira. Ndërkohë që tek palestrat sportive të lojërave me dorë gjendja është paksa më e mirë, shumë më keq është ajo tek stadiumet e futbollit.
Kosova këtë vit është pranuar në UEFA e FIFA, e megjithatë, përfaqësuesja e saj sfidat ndërkombëtare si skuadër pritëse, është e detyruar t’i zhvillojë ndeshjet jashtë Kosovës, konkretisht në Shkodër, në Stadiumin “Loro Boriçi”. Megjithatë, sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, mesi i vitit të ardhshëm pritet ta gjejë Kosovën më stadium të përmasave ndërkombëtare.
Stadiumi i Prishtinës, është duke u rinovuar, dhe ky “tempull” i futbollit pritet të jetë gati për ndeshjen Kosovë-Finlandë. Këtë e ka pohuar Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës (DSK), Ibër Alaj, i cili i ka thënë Agjencisë “KosovaPress” së punët në stadiumin e Prishtinës po shkojnë sipas procedurës së parashikuar, edhe pse UEFA ka bërë disa sugjerime në projektin e rinovimit të këtij stadiumi që dikur ka qenë krenaria e Kosovës.
“Jemi në fazën e punimeve, pas sugjerimeve të fundit që i kemi marrë nga UEFA dhe rifreskimit të projektit sipas kategorisë së katërt, mendojmë se, në bazë të planit dinamik dhe ecurisë së deritashme, pritet që në korrik-gusht të vitit të jetë i gatshëm kur edhe do të luhet ndeshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe Finlandës”, – ka thënë Alaj për median në fjalë.
Mirëpo, tjetër tablo paraqet nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi, i cili nuk beson se stadiumi do të jetë i gatshëm as në vitin 2017 për ndeshje ndërkombëtare. Sipas tij, punët nuk janë duke ecur mirë, sepse sipas Muçiqit, projektin që e ka bërë Ministria e Sportit nuk është pranuar nga UEFA, dhe ndërhyrje që ka bërë organizmi që qeveris futbollin evropian në projektin për rinovimin e stadiumit kërkojnë më shumë kohë.
“Momentalisht, punët nuk janë duke shkuar mirë dhe jemi shumë skeptik nëse do të kryhet në afatin e caktuar për shkak të neglizhencës dhe njerëzve që nuk kanë ditur ta bëjnë projektin”, – ka pohuar Muçiqi. Ai ka shtuar se duhet shumë punë për t’u bërë, sepse, sipas tij, me sugjerimet e UEFA-s duhet të ndryshohet gjithçka, duhet të ndryshohet komplet pjesa lindore, si dhe veri-jugu të afrohen pak më afër.