AlbanianSport.com 19.08.2015 09:10
ASNN – Sikundër raportojnë mediat e Prishtinës, basketbollisti kosovar Dardan Berisha do të luajë me Poloninë në “Eurobasket 2015”, që mbahet muajin tjetër. Të hënën mbrëma, trajneri i Polonisë, Majk Tajlor, ka përcaktuar për 12 basketbollistët në të cilët do të mbështetet në Kampionatin Evropian të koshit të meshkujve.
Në mesin e 12 basketbollistëve të përzgjedhur është edhe Berisha që te Polonia u kthye pas tri vitesh. Në të vërtetë Polonia nisi përgatitjet për “Eurobasket” me një përbërje të zgjeruar prej 16 lojtarëve. Më herët nga ekipi u larguan tre, ndërsa të hënën mbrëma jashtë mbeti edhe Adam Hriçanjuk.
Edhe kur në skuadër ishin 13 basketbollistë, Berisha nuk ndihej i sigurt se do të përzgjidhet për “Eurobasket”, ndonëse ai ishte paraqitur mirë në ndeshjet e deritashme përgatitore dhe këtë shqetësim e pati përcjellë edhe një intervistë me një media sportive polake.
Berisha së fundi për Poloninë kishte luajtur në vitin 2012 në Eliminatoret e Evropianit. Në “Eurobasket” ishte paraqitur në vitin 2011. Pas tri vitesh të kaluara në Kosovë, basketbollisti më i mirë i Kosovës edicionin tjetër do të luajë për skuadrën kroate të Cibonës së Zagrebit.
Polonia bën pjesë në grupin A, ku gjenden edhe Rusia, Bosnjë-Hercegovina, Franca, Finlanda e Izraeli. Ndeshjen e parë Polonia e luan më 5 shtator 2015, kundër Bosnjës. “Eurobasket” 2015 do të zhvillohet prej datës 5, deri më 20 shtator 2015 në 4 shtete, e më konkretisht në Kroaci, Francë, Gjermani dhe Letoni.