AlbanianSport.com 27.12.2016 19:50
ASNN – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017 do të ketë një buxhet rreth 33 milion euro. Sipas njoftimit të botuar nga kjo Ministri, krahasuar me vitin e kaluar, ku buxheti i saj ishte rreth 20 milion, këtë vit, ka një rritje të buxhetit me rreth 60%. Pjesa më e madhe e këtij buxheti është e planifikuar për shpenzimet kapitale. Vendin kryesor e zënë investimet në infrastrukturë, rreth 21 milionë, ndërkaq 7 milionë euro janë planifikuar për subvencione.
Sportit i është ndarë pjesa thelbësore e buxhetit, përreth 17 milionë euro, të kategorizuara për programet buxhetore “Sportet e gjera” dhe “Arritjet sportive”. Ndërsa për fushën e Kulturës janë ndarë rreth tetë milionë euro, për programet: “Përkrahja institucionale për kulturë”, “Përkrahja e kulturës” dhe “Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Fusha e Trashëgimisë Kulturore për 2017-ën ka një buxhet prej rreth 5 milionë euro për kategoritë: “Ruajtja, Mbrojta e Trashëgimisë Kulturore” dhe “Prezantimet dhe kërkimet për trashëgimi”.
Rinia ka një buxhet prej rreth dy milionë euro për programet: “Mbrojtja dhe integrimi i rinisë”, “Zhvillimi dhe përkrahja e rinisë” dhe “Zhvillimi i Politikave Integruese”. Pjesa e mbetur e buxhetit, pak më tepër se një milion euro janë për Shërbimet e Administratës. MKRS-ja e vlerëson se përmes këtij buxheti do të arrihen objektivat e parashikuara dhe do të realizohen shumë projekte kapitale dhe të natyrave të tjera në dobi të komuniteteve që merren me sport, kulturë, trashëgimi kulturore e rini por edhe në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit.