AlbanianSport.com 08.12.2016 07:55
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ka konfirmuar se edhe ai është në kontakte me babanë e futbollistit Sead Haksabanoviç, të cilin thotë se e ndjek qe dy vjet. Sipas të përditshmes kosovare, “Zëri”, babai i Seadit është shqiptar nga Mali i Zi dhe nëna e lojtarit është shqiptare nga Mitrovica. “Ai ka lidhje me Kosovën dhe ka të drejtë të luajë, nëse dëshiron”, – ka thënë Bunjaku për të riun e talentuar.
“Kur ishte 15 vjeç, më ka folur Aneli (Rashkaj) për të dhe e kam ndjekur që nga ajo kohë tek Halmstadi, – ka vijuar ai. – Vjet ka luajtur në ligën e dytë suedeze dhe tashmë kanë kaluar në ligën e parë. Është njëri prej talenteve më të përfolur në Suedi, ashtu sikundër edhe Arbër Zeneli. Jemi shumë të interesuar për lojtarin, bën pjesë në projektin tonë afatgjatë, për Eliminatoret e “Euro 2020”.”
“Pres që, në të ardhmen, të na bashkëngjitet, pasi i përshtatet profilit tonë, – ka theksuar trajneri i Kosovës, duke folur për të përditshmen në fjalë. – Kemi shprehur interesim për të. Ne po mendojmë për periudha afatgjate, edhe pse dikujt nuk po i pritet. Ne kemi lojtarë në të cilët mund të llogarisim në 10 vjetët e ardhshëm, kjo është pasuri e madhe për ne.”
“Është koha të fillojmë ta afrojmë lojtarin”, – ka shtuar trajneri kosovar, i cili tregon se bëhet fjalë për një mesfushor me tiparë sulmuese, rol të cilën e mbulojnë më së shumti futbollistët aktualë të përfaqësueses. Edhe pse babai i futbollistit është takuar me palën malazeze, Bunjaku nuk mendon se malazezët janë të favorizuar për lojtarin.