Gjergj Vyshka 07.01.2016 10:10
Trajneri: “Edhe faktikisht edhe ne do të përgatitemi në mënyrë specifike, sepse ne e dimë që tani çfarë na pret atje. Shpresoj në më të mirën.” Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, mendon se viti 2015 ka qenë vit i suksesshëm për sportin e xhudos. Njeriu që me sportistet e tij, Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin e Nora Gjakovës, ka prekur majat e botës, në një intervistë për “KosovaPress” është shprehur i kënaqur me rezultatet dhe paraqitjen e të tijve në veprimtaritë kombëtare dhe, sidomos, në rrafshin ndërkombëtar.
Strategu i xhudos thotë se janë tri ngjarje më rëndësi për këtë sport, që e kanë përshkruar vitin që po e lëmë prapa. Ai ka folur për ngjarjet e mëdha që i presin sportistët e tij në vitin 2016. Sipas Kukës, Olimpiada e “Rio de Zhaneiros 2016 është objektivi dhe ngjarja kryesore. Trajneri pejan beson se garueset e tij do të jenë të gatshëm për sfidat e Rios. “Rio de Zhaneiro është një garë ku mblidhen gjithë më të mirët, të cilët vijnë nga garat kualifikuese për Lojërat Olimpike”, – ka deklaruar ai për median në fjalë.
“Dhe filtrimi i tyre është shumë i fortë, kësisoj që në Lojërat Olimpike vijnë gjithë ata më të mirët, – ka vijuar Kuka. – Edhe faktikisht edhe ne do të përgatitemi në mënyrë specifike, sepse ne e dimë që tani çfarë na pret atje. Shpresoj në më të mirën.” Ai thotë se pikërisht Lojërat Olimpike “Rio 2016” është objektivi jetësor i tij. Kuka thotë se i ka fituar gjithë trofetë e mundshëm përveç Olimpiadës, por ai nuk është duke menduar largimin nga profesioni i trajnerit pas përfundimit të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Kjo sepse kërkon të vazhdojë me të tjerë atë që ka nisur me Majlinda Kelmendin, e cila një ditë më parë ishte shpreshur se do t’i bënte krenar të gjithë shqiptarët me medaljet e saj në Lojërat Olimpike. Ndaj ai është i bindur se verën që vjen garuesit e tij do t’i sjellin Kosovës medaljen olimpike, sepse, sipas tij, garuesit e tij do të jenë në formën më të mirë dhe të përgatitur maksimalisht për garat e mëdha të Rios.