AlbanianSport.com 20.02.2016 12:30
ASNN – Ligjërisht lëvizja olimpike në Kosovë funksionon si në kohën e UNMIK-ut, shkruan e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”.
Në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), përkatësisht Departamentin për Organizata Joqeveritare (OJQ), lëvizja olimpike e Kosovës, është e regjistruar si Asociacioni Olimpik i Kosovës (AOK), emër me të cilin funksiononte kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë.
Për shkak të kësaj dhe rolit ekzekutiv të UNMIK-ut, lëvizja olimpike njihej si Asociacion dhe jo Komitet.
Dhe nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës janë mbushur plot tetë vjet dhe me letra, kjo lëvizje ende njihet si Asociacion, megjithëse në publik dhe në raport me strukturat e tjera, të jashtme e të brendshme, paraqitet si Komitet Olimpik i Kosovës (KOK).