AlbanianSport.com 04/05/2020 23:55
ASNN – Të hënën, në një emisionin në “Syri TV”, bashkë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka qenë edhe homologu i tij, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina, sa i përket situatës nga koronavirusi dhe futbollit në Kosovë, ai tha: “Kemi kërkuar një datë për rinisjen e futbollit dhe shpresojmë që të nisim dhe ta mbarojmë kampionatin sipas udhëzimeve të UEFA-s”.
“Ndryshe nga Shqipëria, qeveria e Kosovës ka dhënë ndihmë financiare për sportin, duke dhënë një fond prej 5 milionë eurosh, ku ka përfituar edhe futbolli pjesën e tij, – ka sqaruar Ademi. – Jemi në kontakt me qeverinë dhe kemi patur dy takime me ministrinë e Sporteve, për të na dhënë lejen për të filluar të luajmë.” Presidenti i FFK-së u pyet edhe se kur do të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Maqedonisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Ademi u shpreh se në diskutimin me UEFA, mendohet se mes muajve tetor dhe nëntor mund të zhvillohet ky takim. “Shpresoj që jeta normale të kthehet sa më shpejt, por me shumë mundësi ndeshja mes Kosovës dhe Maqedonisë do të zhvillohet në tetor ose në nëntor”, – pohoi kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.