AlbanianSport.com 03.02.2017 15:25
ASNN – Kosova vazhdon përpjekjet për rinovimin dhe modernizimin e infrastrukturës së saj sportive dhe, së fundi, është përcaktuar edhe një fond prej 400 mijë eurosh për një pishinë olimpike në Prizren, dhe për ndërtimin e stadiumit në Zhur. Një gjë e tillë është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ajo ka nënshkruar dy memorandume të bashkëpunimit me komunën e Prizrenit, me qëllim të mbështetjes financiare për projektin “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren”, me vlerë prej 200 mijë euro, dhe mbështetjen financiare për projektin “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur – Prizren”, gjithashtu në vlerë prej 200 mijë euro.
Sikundër sqaron komukinata për shtyp, nëpërmjet këtyre memorandumeve, MKRS-ja angazhohet që të ndihmojë Prizrenin, në përmirësimin e infrastrukturës sportive, në mënyrë që të krijohen kushte më të volitshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit dhe të krijohen kushte të volitshme për veprimtari sportive në vend.
Përveç këtyre investimeve në fushën e sportit, MKRS-ja në projeksionet buxhetore, sivjet do të investojë në Prizren edhe në fushën e Trashëgimisë Kulturore, me një varg projektesh të rëndësishme.