AlbanianSport.com 21.01.2017 16:10
ASNN – E mbajtur më 21 dhjetor të vitit që shkoi, AsamblejaZgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), kaloi pa ndonjë problem të theksuar, edhe pse pati aty këtu ndonjë kundërshtim jo të theksuar. Sidoqoftë, sikundër raporton e përditshmja e Kosovës, “Zëri”, pas përfundimit të saj, një grup delegatësh që ishin pjesë e saj, e kanë nisur një “sulm” për rrëzimin e asaj Asambleje, pasi konsiderojnë se ishte kryekëput e parregullt.
Sipas të përditshmes në fjalë, 12 delegatë të Asamblesë së KOK-ut, të përfaqësuar nga Durim Berisha, delegati i Federatës së Mundjes, por edhe Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, dhe kryetar i Federatës së Kick-Boxit të Kosovës, Fatmir Makolli, kanë dorëzuar të enjten në Ministrinë e Sportit kërkesën për anulimin e procesit zgjedhor dhe mbledhjes së Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut, që u mbajt në fund të muajit të kaluar.
“Së bashku kemi evidentuar një numër të madh të shkeljeve esenciale të rëndësisë absolute të Ligjit për Sport, udhëzimeve administrative të MKRS-së, Kartës Olimpike, Statutit dhe Rregullores së Punës së Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut. Shkelje këto që e bëjnë këtë proces absolutisht të pavlefshëm, – ka thënë Berisha. – Ne e dorëzuam kërkesën dhe 42 faqe material, dispozitat ligjore janë shumë të qarta dhe kjo Asamble duhet të anulohet.”
“Sipas ligjit, kjo kërkesë sipas fuqisë ligjore (automatikisht) i pezullon këto zgjedhje. Në paragrafin e fundit kemi kërkuar nga MKRS-ja që ta njoftojë KOK-un se, sipas Ligjit, vendimet e Asamblesë së fundit të KOK-ut duhet të anulohen”, – shtoi Berisha, i cili pret që pas një muaji MKRS-ja të përgjigjet. Nëse kjo e fundit nuk ndërmerr asnjë veprim, grupi i delegatëve planifikojnë të shkojnë edhe më lart. “Sipas Ligjit për Sport, në rast se MKRS-ja nuk ndërmerr asgjë, duhet t’i drejtohemi CAS-it”, – thotë ai.
“Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të njoftohet brenda pak ditësh se është dorëzuar kjo kërkesë në MKRS, që të jenë të informuar se çka po ndodh dhe ta dinë saktë se cilat janë pretendimet tona”, – theksoi Berisha. Ndër pikat të cilat janë veçuar nga delegatët janë se, në fakt, nuk ka pasur ftesë të nënshkruar nga presidenti i KOK-ut, pastaj është dërguar ajo 29 ditë para mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë dhe nuk u janë bashkangjitur të gjitha materialet.
Gjithashtu, delegatët ankohen se në Asamble janë lejuar të marrin pjesë dhe të votojnë delegatët nga Federatat e palicencuara, që konsiderohet si shkelja më e rëndë. Ata gjithashtu shtojnë se në Asamble nuk janë përmendur ankesat paraprake të delegatëve dhe ka pasur parregullsi të tjera të shumta.
“Prandaj, duke u bazuar në gjendjen faktike dhe juridike të paraqitur me mirësjellje dhe konsideratë, kërkojmë nga Ministria e Sportit që përmes organeve kompetente brenda saj, të veprojë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe evitimin e pasigurisë juridike dhe të vërtetojë pavlefshmërinë absolute të procesit zgjedhor dhe punës së Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut. Njëherësh, kërkojmë që të obligohet Komitetit Olimpik i Kosovës që ta përsërisë procesin zgjedhor në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundon ankesa e delegatëve.