AlbanianSport.com 14.01.2015 14:40
ASNN – Sipas mediave kosovare, nga data 7, deri më 12 janar 2015, ekipi olimpik i Kosovës në disiplinën sportive të xhudos ka marrë pjesë në përgatitjet e para për kualifikueset për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, të cilat janë zhvilluar në Mitersil të Austrisë.
Edhe këtë vit, ky qytet i vogël mirëpriti rreth 700 garues nga 45 shtete të ndryshme, duke arritur numrin më të madh të pjesëmarrësve në një kamp olimpik. Me përzgjedhjen e trajnerit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, sportistët që morën pjesë në këtë kamp olimpik ishin Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Leutrime Krasniqi dhe Flaka Loxha.
Ndërkohë që Majlinda Kelmendi, nga janari 2015, së bashku me ekipin kombëtar të Kosovës, do të sponsorizohen me pajisje sportive nga “DanRho”, firmë e njohur për sporte luftarake. Së fundmi kjo firmë ka lëshuar në shitje veshjet më të reja të xhudos (Kimonet) dhe ka zgjedhur kampionen e dyfishtë botërore në xhudo, Majlinda Kelmendin, për reklamimin e këtyre veshjeve sportive.