AlbanianSport.com 08/02/2024 21:55
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Rumanisë, Edi Iordanesku, ka folur për faqen zyrtare të Federatës Rumune të Futbollit dhe ka komentuar kundërshtarët për Ligën e Kombeve. “Nuk është e ngutshme të analizosh prej tani kundërshtarët, – ka thënë ai. – Ka ende shumë muaj, pastaj merkatoja verore mund ta ndryshojë situatën e disa lojtarëve nga të gjitha përfaqësueset. Duhet të pritet se si djemtë do të luajnë në pranverë, por duhet shikuar në vjeshtë se si do të luajnë lojtarët.”
“Vetëm një gjë do të jetë i sigurt, synimi i Rumanisë është vendi i parë, – ka thënë ai. – Po flasim për shansin e rëndësishëm dhe për mundësinë e mundshme, kualifikimin në “play-off”-in e mundshëm për në Botërorin e 2026-ës. Deri atëherë, i gjithë fokusi do të jetë në “Euro 2024”-ën, në mënyrë që të hyjmë në formën më të mirë në turneun final.” Kosova barazoi pa gola ndaj Rumanisë në Prishtinë më 16 qershor 2023, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator 2023, me rezultatin 0-2.
Kosova do t’i ketë dy ndeshje në shtator, dy në tetor e dy në nëntor. Për Ligën e Kombeve do të përgatitet me miqësoret që i zhvillon në mars e në qershor. Tre prej 4 kundërshtarëve të miqësoreve njihen tashmë dhe ato janë Armenia, Hungaria dhe Norvegjia. Si për Shqipërinë, edhe për Kosovën pozitiv është fakti se, përveç vendit të parë në grup, që ngjitet automatikisht në Ligën B, edhe skuadra e vendit të dytë në grupet e Ligës C, shkon në një “play-off” me të 3-tën e Ligës B, duke patur kështu një tjetër mundësi për të synuar ngjitjen.