AlbanianSport.com 05/09/2019 19:00
ASNN – Kosova luan me Republikën Çeke dhe Anglisë dy ndeshjet eliminatore për Euro 2020. Përfaqësueses kosovare i mungojnë 5 lojtarë të rëndësishëm për këto dy sfida. Ndërsa UEFA ka përcaktuar një treshe gjyqtarësh nga Holanda për ndeshjen e parë Kosovë-Republikë Çeke. Kosova po përgatitet për dy ndeshjet e radhës, eliminatore të “Euro 2020”-ës, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë. Prej katër ditësh futbollistët kanë nisur stërvitjen në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndërsa lojtarët bënin stërvitje, trajneri Bernard Shalondë ka kryer një bisedë, mënjanë, me mesfushorin Florent Muslija. Për lojtarin është hera e parë që vjen në përfaqësuese, pasi prej pak kohësh është pajisur me dokumentacionin e duhur, ndaj trajneri zviceran e ka ndjerë të nevojshme të bëjë një bisedë me futbollistin për të njohur më mirë gjendjen e tij emocionale. Ndërkohë që për këto dy sfida, sërish trajneri Shalondë do të vuajë disa mungesa lojtarësh.
Janë 5 lojtarë, titullarë të padiskutueshëm, që nuk do të jenë të pranishëm në këto dy sfida. Dy lojtarët më të mirë të përfaqësueses kosovare, Arbër Zeneli e Milot Rashica, që mbulojnë krahët e sulmit, nuk do të jenë. Po ashtu mungojnë dy mesfushorët e qendrës, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala. Ndërsa lojtari i 5-të që mungon ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë është Benjamin Kololli. Ndeshja me çekët luhet të shtunën, duke nisur nga ora 15:00, në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Për këtë sfidë, UEFA ka bërë të ditur edhe emrat e gjyqtarëve. Organizmi kryesor i futbollit evropian ia ka besuar këtë sfidë një tresheje gjyqtarësh nga Holanda, me kryesor Dani Makelien, ndërsa ndihmës të tij, Mario Diksin dhe Hasel Ste’egstran.