AlbanianSport.com 09.10.2015 17:05
ASNN – Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës zhvilluan të enjten vetëm një seancë stërvitore, ashtu sikundër ndodhi edhe sot, me seancën e zhvilluar duke nisur nga ora 15:00. Ndërsa të shtunën, duke nisur nga ora 15:00, kosovarë do të luajnë në Prishtinë, miqësoren e parë në nivelin e përfaqësueses pas më shumë se një viti.
Përballë, Kosova do të ketë Guinenë Ekuatoriale, që të enjten mbrëma ka mbërritur në kryeqytetin kosovar. Kjo skuadër doli e katërta në Kupën e fundit të Afrikës. Por interesimi për ta ndjekur stërvitjen e parë të përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen që do të zhvillojë të shtunën kundër Guinesë Ekuatoriale ishte tepër i vogël.
Dyert e stadiumit të qytetit të Prishtinës, të enjten ishin të hapura, por në tribuna ishin vetëm katër veta. Ishin edhe disa të tjerë që po e ndiqnin stërvitjen e parë të përfaqësueses për këtë ndeshje, por ata ishin zyrtarë të përfaqësueses apo edhe vetë futbollistë.
Në fakt, siç raportojnë mediat e Prishtinës, jo vetëm kjo stërvitje, por e gjithë atmosfera për këtë ndeshje po kalonte nën hijen e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare. Një të tillë e zhvilloi mbrëmë kundër Serbisë dhe një tjetër do ta zhvillojë të dielën kundër Armenisë.