AlbanianSport.com 13.05.2016 18:35
ASNN – Kosova është në pritje të një vendimi për pranimin e Federatëssë saj të Futbollit në organizmin që qeveris futbollin botëror (FIFA), e cila po mban Kongresin e saj të 66-të në Meksikë.
Shqyrtimi i çështjes së aplikimit të Kosovës për pranim në këtë mekanizëm ndërkombëtar të futbollit dhe votimi për pranimin ose jo të saj, pritet të ndodhë të premten, në ditën e dytë të këtij Kongresi, duke mbajtur parasysh edhe diferencën e orës midis Amerikës Qendrore dhe Evropës.
Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar më herët për Radion “Evropa e Lirë” se sinjalet për pranimin e Kosovës në FIFA janë mjaft pozitive, për faktin se ajo ka plotësuar kushtet për një gjë të tillë.
Sipas tij, me pranimin në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), që ndodhi me 3 maj, Kosova ka përmbushur kushtin bazë për pranim edhe në FIFA. Ademi thekson se anëtaret e UEFA-s, me disa përjashtime, parimisht duhet të votojnë për pranimin e Kosovës në FIFA.
Për pranimin e Kosovës në FIFA, nevojitet shumica e thjeshtë e votave, që nënkupton 105 vota për nga 209 sa janë gjithsej.