AlbanianSport.com 15/10/2018 11:35
ASNN – “Perla” e Milot Rashicës nuk mjaftoi, Kosova ndalet në barazim në Ishujt Faroe, por nuk e lëshon kreun. Kosova barazoi 1-1 mbrëmjen e së dielës ndaj Ishujve Faroe, duke marrë vetëm një pikë nga kjo përballje, e cila mund të kishte qenë vendimtare nëse kosovarët do ta ruanin epërsinë e golit të Milot Rashicës në pjesën e parë.
Në fakt, kombëtarja e dytë e trojeve shqiptare, nën drejtimin e trajnerit Bernard Shalondë, u fut në fushë si favorite dhe ia doli ta gjejë shpejt rrugën e rrjetës, pikërisht me mesfushorin e krahut që ka tipare sulmuese Milot Rashica, i cili realizoi një supergol.
Por kosovarët lëshuan shumë në lojën e tyre, ndoshta nga vetëkënaqësia, dhe kjo bëri që në mesin e pjesës së dytë vendasit të barazojnë e ta ruajnë këtë barazim deri në fund. Sidoqoftë, barazimi tjetër në grup midis Azerbajxhanit dhe Maltës (1-1), bëri që Kosova të ruajë kreun e grupit të saj në Ligën D, me 8 pikë, duke lënë pas Azerbajxhanin me 6 pikë.
Kuptohet, Kosova ka edhe dy ndeshje për të luajtur, atë ndaj Maltës në fushë të huaj dhe ndaj Azerbajxhanit në shtëpi. Pikërisht dueli i fundit me azerët është vendimtar për fatin e grupit, por “Shqipëria 2” ka një shans të ngjitet në Ligën C. E ndërsa Shqipëria e Panuçit vetëm pëson humbje, të paktën Kosova po i nderon dhe po u jep emocion shqiptarëve.