AlbanianSport.com 17/11/2018 20:00
ASNN – Rrezikojnë kuqezinjtë, por një tjetër “Shqipëri” na nderon në Ligën D, Kosova pranë një rezultati historik. Përfaqësuesja e Kosovës mori një rezultat fenomenal këtë të shtunë në Ligën e Kombeve, në kuadër të grupit të tretë të Ligës D, pasi shpartalloi Maltën në fushn e kësaj të fundit me rezultatin e thellë 5-0. Në pjesën e parë pati më shumë rivalitet sepse vendasit guxuan për të marrë pikë, por një gol i Muriqit ua preu shpresat.
Në pjesën e dytë në 20 minutat e fundit Malta u hap dhe e pësoi, ku shënuan me radhë Benjamin Kollolli, Donis Avdijaj me dygolësh si dhe në fund Milot Rashica. Një fitore për kornizë për përfaqësuesen e dytë shqiptare, e cila ndryshe nga ajo kuqezi, edhe pse me ngjyra të verdha në Valeta, ia doli të jetë pranë një triumfi historik. Me këtë fitore Kosova shkon në 11 pikë, në krye të grupit të saj në Ligën D, duke lënë pas Azerbajxhanin që ka 9 pikë.
Sot azerët mposhtën 2-0 Ishujt Faroe dhe fatet e kryesimit të këtij grupi do të luhen pas tre ditësh, pra më 20 nëntor, kur Kosova të presë në stadiumin “Fadil Vokrri” ekipin kombëtar të Azerbajxhanit. Kosovës i duhet vetëm një pikë, pra edhe një barazim, që të ruajnë kreun. Ata thjesht nuk duhet ta humbasin atë duel. Pra ngjitja në Ligën C është vetëm një pikë larg për ekipin e Bernard Shalondë. Mbi të gjitha, Kosova sot fitoi me lojë të bukur e rezultat të thellë, duke u pjekur si ekip dhe duke merituar rezultatet e saj.