AlbanianSport.com 05.10.2016 13:30
ASNN – Në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit 2018, Kosova përballet të enjten mbrëma në “Loro Boriçi” me Kroacinë dhe skuadra ballkanase ka mbërritur sot në drekë në Rinas, për të vijuar më pas rrugëtimin drejt qytetit verior. Kroatët do të zbresin në fushën e blertë për sfidën kundër Kosovës pa kapitenin Luka Modriç dhe lojtarët e tjerë Rakitiç, Lovren dhe Pjacan.
Trajneri i Kroacisë, Ante Çaçiç, e ka pranuar se këta 4 lojtarë janë mungesa të mëdha, por ka thënë se ata që do t’i zëvendësojnë, duhet të vërtetojnë se meritojnë të luajnë. “Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës, – ka deklaruar trajneri kroat, duke folur për mediat vendase para nisjes për në Shqipëria. “Ata nuk luajnë në shtëpi, por në Shkodër do të jetë një atmosferë e madhe”, – theksoi Çaçiç.
“Kosova do të tentojë të bëjë gjithçka në këtë ndeshje, – ka vijuar ai. – Ata janë shumë të motivuar, mendoj se kjo e bën edhe më interesante sfidën.” Kosova do të stërvitet në “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 17:00, e më pas do të mbajë edhe konferencën për shtyp, për t’ia lënë vendin kroatëve, që nisin stërvitjen në ora 19:00 e më pas kanë edhe konferencën për shtyp.