AlbanianSport.com 06.09.2017 07:55
ASNN – Kosova nuk njeh ende fitore në këto Eliminatore të Botërorit 2018, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Albert Bunjaku është mundur nga Finlanda 1-0 në “Loro Boriçi”, me një gol të Pukit në minutën e 83-të.
Kështu, Kosova pësoi humbjen e radhës në eliminatoret e “Rusi 2018 dhe këtë herë skuadra e drejtuar nga Bunjaku, u dorëzua përballë Finlandës me një gol të vetëm, duke mbetur në vendin e fundit në renditjen e Grupit I.
Pavarsisht dëshirës së treguar në fushën e lojës, skuadra kosovare nuk ishte e qartë në lojën e saj. 0-0 ishte rezultati i 45 minutave të para, ku rasti më i rrezikshëm ishte ai i minutës së 40-të, i skuadrës së Kosovës.
Loja ishte nën nivelin mesatar edhe në pjesën e dytë dhe diferenca u bë pikërisht 7 minuta nga fundi i takimit. Protagonisti për Finlandën u bë Puki, që bëri gjithçka vetë për të shënuar golin e fitores për skuadrën nordike, e cila shkon kështu në kuotën e 7 pikëve në vendin e parafundit në Grupin I.