AlbanianSport.com 05.10.2016 22:10
ASNN – Kroacia ka mbërritur sot në drekë në Rinas, për të vijuar më pas rrugëtimin drejt qytetit verior, ku kanë zhvilluar në mbrëmje edhe seancën e vetme stërvitore. Kroatët do të zbresin në fushën e blertë për sfidën kundër Kosovës pa kapitenin Luka Modriç dhe lojtarët e tjerë Rakitiç, Lovren dhe Pjacan.
Trajneri i Kroacisë, Ante Çaçiç, e ka pranuar se këta 4 lojtarë janë mungesa të mëdha, por beson se përvoja e ekipit së tij do të bëjë diferencën. “Luajmë kundër Kosovës, e cila luan për herë të parë si vendëse, – ka thënë ai. – Na duhet përqendrim dhe përkushtim maksimal për të arritur rezultat të kënaqshëm, pra tre pikët.”
“Për ne kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, – ka shtuar trajneri veteran, duke folur në konferencën e sotme për shtyp. – Ata do të kenë shumë emocione, por ne kemi përvojën e duhur.” Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe Kapiteni i përfaqësueses kroate, Vedran Çorluka.
“Pres një Kroaci ambicioze pavarësisht mungesave, – ka thënë ai. – Nga minuta e parë do ta kërkojmë rezultatin, pasi edhe në të kaluarën e kemi dëshmuar se mund t’i zëvendësojmë ata qe mungojnë.”