AlbanianSport.com 08/02/2024 20:25
ASNN – Shorti për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s në futboll është hedhur të enjten në Paris, ndërsa Kosova, Rumania dhe Qipro kanë rënë në Grupin 2 të Ligës C. Grupit të Kosovës do t’i bashkohet Lituania ose Gjibraltari. Këto dy përfaqësuese do të përballen kundër njëra-tjetrës në “play-off” dhe fituesha pastaj do t’i bashkohet grupit. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, beson se Kosova do të dalë e para në grup.
Ai shpreson që ndeshjen e parë ta kenë ndaj Rumanisë në Bukuresht. “Nuk është grup i keq, – ka thënë Ademi. – Janë ekipe që i njohim nga e kaluara. Nuk mund të them që është grup i dobët, është grup korrekt. Grup që mund të kalohet duke pasur parasysh formën që po e kalojnë aktualisht lojtarët nëpër klubet e tyre. Uroj që ta kemi grupin e kompletuar për të gjitha ndeshjet. Uroj të jemi në vendin e parë. Besoj se do të jemi në vendin e parë. Realisht kërkojmë të jemi në vendin e parë.”
“Ky është edhe objektivi ynë, pasi tani do të ndjekim rezultatet, edhe pse asgjë në futboll nuk ka të sigurt, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në Kosovë. – Por uroj të kemi më shumë fat.” Ai ka folur edhe për ndeshjen ndaj rumunëve. Kosova pati probleme në Bukuresht, në ndeshjen që e pati zhvilluar në shtator, në kuadër të Eliminatore për “Euro 2024”-ës. Kosova e pati humbur ndeshjen 2-0, por ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të.
Një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur pankartën “Kosova është Serbi”. Ndeshja më pas nuk pati vazhduar për plot 50 minuta. “Ka qenë për ne një situatë e papritur, – kujtpn kreu i FFK-së. – E papritur, pasi nuk e kemi besuar se në një vend evropian mund të na ndodhë ajo situatë. Por tanimë e dimë me kë do të përballemi dhe çka mund të ndodhë. Do të përgatitemi, por ajo që ne do ta kemi fokus, është fusha. Do të fokusohemi vetëm në fushë.”
“Uroj që ndeshja e parë të jetë në Bukuresht kundër Rumanisë. Orarin do ta mësojmë të premten”, është shprehur Ademi. Kosova barazoi pa gola ndaj Rumanisë në Prishtinë më 16 qershor 2023, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator 2023, me rezultatin 0-2. Ky edicion ka lidhje edhe me kualifikimin për në Botërorin e 2026-ës. Katër përfaqësueset më të mira në Ligën e Kombeve e që nuk kualifikohen në Botëror përmes kualifikimeve të rregullta do të paraqiten në “play-off”, me 12 përfaqësueset që në eliminatoret të rregullta përfundojnë në vendin e dytë në grup.